Ishte muaji nëntor i vitit 2021, kur Taulant Xhaka deklaroi fundin e karrierës së tij me Kombëtaren e Shqipërisë.
Por kur kanë kaluar rreth dy vite, ka një përpjekje nga Shqipëria për ta rikthyer atë në Kombëtare, pasi shihet si element shumë i vlefshëm në repartin e mesfushës.
Ka qenë mediumi zviceran ‘4-4-2.ch‘ që ka raportuar se FSHF po mundohet ta bindë Xhakën të rikthehet te Shqipëria dhe t’i ndihmojë kuqezinjve për kualifikim në Euro 2024.
Sipas informacioneve të 4-4-2.ch , brenda FSHF-së është rritur bindja se Xhaka ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës në të kaluarën dhe se do të përdorte përvojën e tij për të bërë hapin e madh drejt Kampionatit Evropian.
Xhaka është prioritet kryesor i FSHF-së dhe është pikërisht presidenti Armand Duka që ka marrë përsipër punën për ta rikthyer Taulantin me fanellën kuqezi.
32-vjeçari për herë të fundit fanellën e Kombëtares së Shqipërisë e kishte veshur më 7 shtator të vitit 2019 kur luajti 17 minuta në humbjen 4-1 ndaj Francës, derisa tre ditë më vonë ishte në bankën rezervë në fitoren 4-2 ndaj Islandës.
Xhaka ka zhvilluar 30 ndeshje me Shqipërinë, ku ka qenë edhe ndër lojtarët më meritor që kuqezinjtë shkuan në Kampionatin Evropian, Euro 2016.
Mesfushori i Baselit debutimin me kuqezinjtë e ka bërë më 7 shtator të vitit 2014, derisa në vitet e fundit kishte probleme me trajnerët si Eduardo Reja dhe Christian Panucci.
Mbetet të shihet nëse presidenti Duka do t’ia dalë ta bind Xhakën që të rikthehet te Shqipëria. /Telegrafi/