Telegrafi

U kapën në flagrancë duke marrë 8 mijë euro ryshfet, Policia jep detaje për arrestimin e zyrtarëve të Prokurimit

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e dy zyrtarëve të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, njëri prej të cilëve është kapur në flagrancë duke marrë 8 mijë euro ryshfet.

Sipas raportit të PK-së, ankuesi nga një kompani private ka informuar organet e rendit se i është kërkuar ryshfet në mënyrë që kompania e tij të fitonte një tender.

“Prishtinë (NN) 10.09.2021 – 16:30. Ankuesi i një kompanie private ka informuar se nga një zyrtar i Agjensionit Qendror të Prokurimit (AQP), i është kërkuar ryshfet që kompania e tij të fitojë tenderin”, thuhet në raport.

Lexo po ashtu Arrestohen dy zyrtarë të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, dyshohet se u përfshinë në marrje ryshfeti

Tutje, policia njofton se, “Njësia policore ka kapur në flagrancë të dyshuarin mashkull  kosovar, i cili kishte marr 8000 euro para të gatshëm”.

“Lidhur me rastin janë intervistuar tre të dyshuar meshkuj  kosovarë, ku me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport./Telegrafi/