Telegrafi

U konfiskuan uniforma të policisë serbe në veri, Sveçla: Dëshmi se mekanizmat e sigurisë së Serbisë janë përgjegjëse për tentativat për destabilizim dhe aneksim 

Policia e Kosovës gjatë të premtes pasdite ka kryer një operacion bastisjeje në Leposaviq. Gjatë operacionit, njësitë policore në një shtëpi kanë gjetur uniforma të ndryshme, përfshirë ato të policisë serbe dhe ushtarake.

E lidhur me këtë ka reaguar sot ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë.

“Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”, shkruan Sveçla.

Lexo po ashtu Aksion i policisë në Leposaviq, konfiskohen dhjetëra uniforma të policisë serbe

Ai tutje thotë se falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet.

“Është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”, shkruan ministri i Punëve të Brendshme. /Telegrafi/