Telegrafi

U jepte informacione rusëve për vendndodhjen e ushtrisë ukrainase, dënohet me 11 vite burgim nën akuzën për tradhti kombëtare

Një ukrainas është dënuar me 11 vite burgim, nën akuzën për tradhti. Ai pretendohet se u kishte dhënë të dhënat rusëve për pozicionet e ushtrisë ukrainase.

Gjykata në Ukrainë dënoi shtetasin ukrainas me 11 vite heqje lirie, nën akuzën se ka zbuluar pozicionet dhe bazat ushtarake të ukrainasve tek forcat ruse, transmeton Telegrafi.

Ai ishte kapur nga Shërbimi Sekret i Ukrainës (SBU), kurse informacionet që ua kishte dhënë rusëve, tregonin në detaje pozicionet e ukrainase përreth qytetit Kramatorsk në rajonin e Donetskut.

Sipas SBU-së, forcat ruse planifikonin t’i përdornin “të dhënat” për kryerjen e sulmeve raketore në Kramatorsk.

Ndërkaq një muaj më parë 15 banorë të pjesëve të pushtuara nga rusët në rajonin e Luhanskut dhe Donetskut që iu “bashkuan” forcave ruse si snajperistë, u dënuan me nga 15 vite burgim për tradhti kombëtare. /Telegrafi/