Site icon Telegrafi

U inaugurua Impianti për trajtimin e ujërave të ndotura në Pejë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në inaugurimin e Impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura, në Gorazhdec, Pejë, kostoja e përgjithshme e të cilit arrin vlerën 19 milionë e 800 mijë euro.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u shpreh i gëzuar që sot u bë inaugurimi i këtij impianti, duke veçuar se sektori i ujërave e ka një dinamizëm mbresëlënës dhe se çdo raport, çdo ngjarje e vërteton sa shumë po veprohet në këtë sektor. Ai theksoi se qeveria e konsideron të jetë ndër sektorët prioritar, meqë ujërat janë parakusht edhe i jetës së qytetarëve edhe i çdo politike zhvillimore.

Javën në vijim pritet edhe inaugurimi i impiantit në Gjakovë, duke mbuluar kështu një pjesë të madhe të pellgut të Drinit të Bardhë që ndahet më Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut me Malin e Zi dhe me Greqinë.

Nga kryeministri Kurti u tha se synohet që të mbulohet trajtimi i ujërave të ndotura për rreth 75 për qind të numrit të gjithmbarshëm të popullsisë  në Kosovë për një periudhë 10 deri 15 vjeçare.

Njëkohësisht, ai falënderoi qeveritë gjermane dhe zvicerane për bashkëfinancimin e këtij impianti, si dhe për përkrahjen e çmuar në sektorin e ujërave gjatë dy dekadave të fundit.

Qeveria ka përqafuar dhe mbështetur plotësisht këtë projekt duke njohur rëndësinë e tij në nxitjen e zhvillimit të këtij sektori dhe ndikimin e tij të rëndësishëm mjedisor, veçanërisht duke përmbushur një detyrim të rëndësishëm ndërkufitar, tha kryeministri.

Si qeveri, në bashkëpunim me ministritë e linjave për resurse ujore dhe shërbime ujore, kryeministri shprehu zotimin që do të investohet në krijimin e një brezi të ri të profesionistëve në këtë sektor vital për vendin tonë.

Ndërtimi i këtij impianti të ri për trajtimin e ujërave të zeza u mundësua nga bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komunës së Pejës, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Qeverisë Zvicerane përmes KfW (Banka Gjermane për Zhvillim).

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu
I nderuari kryetar i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri,
I nderuari Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Jörg Rohde
I nderuari Ambasador i Konfederatës Zvicerane, z. Thomas Kolly
I nderuari zëvendësministër i Ministrisë së Ekonomisë, z. Getoar Mjeku,
I nderuari drejtor z. Tigani,
Të nderuar staf i kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidrodrini,

Të nderuar të gjithë ju të nga pranishëm nga Banka Zhvillimore Gjermane KfW si dhe nga zyra Zvicerane për Bashkëpunim.
E mbaj mend se si para gati një viti, ishim së bashku në Prizren për ta inauguruar impiantin e tretë të trajtimit të ujërave të ndotura në Kosovë , e sot gëzohemi që jemi bashkë këtu në Gorazhdec të Pejës për të inauguruar impiantin e katërt.

Sektori i ujërave e ka një dinamizëm mbresëlënës. Çdo raport, çdo ngjarje e vërteton sa shumë po veprohet në këtë sektor të cilin qeveria jonë e konsideron të jetë ndër sektorët prioritar meqë ujërat janë parakusht edhe i jetës së qytetarëve edhe i çdo politike zhvillimore.

Presim që javën në vijim ta inaugurojmë edhe impiantin në Gjakovë. Kështu mbulojmë një pjesë të madhe të pellgut të Drinit të Bardhë që e ndajmë më Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut, me Malin e Zi dhe me Greqinë. Jemi po ashtu në proces të ndërtimit të impiantit rajonal për Prishtinën, Kastriotin, Fushë Kosovën, dhe Graçanicën, e gjithashtu edhe impiantin rajonal të Mitrovicës, të Vushtrrisë e të Gjilanit. Jemi në proces të sigurimit të Fondeve edhe për impiantet në Ferizaj dhe Podujevë si dhe planifikojmë të kërkojmë mbështetje për studimin e fizibilitetit për trajtimin e ujërave të ndotura në këto komuna, Vushtrri, Malishevë, Drenas, Lipjan, Rahovec, Therandë,  Viti, Istog, Deçan, Klinë dhe Kamenicë, pra dhjetë komunat më të mëdha sipas rendit.

Me këtë evitojmë një qasje diskriminuese dhe synojmë të mbulojmë trajtimin e ujërave të ndotura për rreth 75 për qind të numrit të gjithmbarshëm të popullsisë në Kosovë për një periudhë 10 deri 15 vjeçare.

Kjo ka vlerën edhe më të madhe nëse kemi parasysh që Kosova ka mungesë të ujërave në dispozicion. Vetëm 10 për qind të ujërave tona janë të jashtme, do të thotë vijnë nga jashtë shtetit dhe krejt tjerat 90 për qind janë ujëra të brendshme që gjenerohen nga të reshurat. Prandaj, është me rëndësi jetike që të sigurojmë mbrojtjen e resurseve ujore. E kemi edhe obligim ligjor, edhe synim për integrim evropian, por edhe ruajtje e statusit të ujërave për përdorim të brendshëm, qoftë për furnizim me ujë të pijes, ujitje, industri apo çfarëdo qoftë destinimi.

Prandaj, jam shumë i nderuar që po ju bashkohem sot për të inauguruar impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Pejë.

I falënderoj qeveritë gjermane dhe zvicerane për bashkëfinancimin e këtij impianti, si dhe për përkrahjen e çmuar në sektorin e ujërave gjatë dy dekadave të fundit. Gjithashtu edhe kryetarin e Komunës së Pejës, z. Muhaxherin, dhe stafin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” për kontributin e tyre dhe bashkëpunimin për të përshpejtuar punimet.

Qeveria ime ka përqafuar dhe mbështetur plotësisht këtë projekt duke njohur rëndësinë e tij në nxitjen e zhvillimit të këtij sektori dhe ndikimin e tij të rëndësishëm mjedisor, veçanërisht duke përmbushur një detyrim të rëndësishëm ndërkufitar.

Në shkurt të këtij viti kemi marrë vendim përmes Këshillit Ndërministror për Ujërat për menaxhimin e llumit që do të prodhohet nga këto impiante. Jemi në pritje të planeve nga shtatë KRU-të dhe më pas do të hartojmë një strategji për këtë në nivel vendi.

Ujërat e ndotura janë një sektor shpesh i nënvlerësuar dhe jashtë syve. Relacioni ynë me to shpesh përfundon në zbrazje të kazanit, por nëse menaxhohen mirë përmes sistemeve të trajtimit dhe riciklimit, ujërat e ndotura mund të ripërdoren në procese industriale në bujqësi ose në sisteme natyrore të ujërave të ëmbla.

Lëvizja drejt një ekonomie qarkore të qëndrueshme kërkon që ne ta rimendojmë rolin dhe ripërdorimin e ujërave të ndotura dhe të llumit. Ky impiant dhe të tjerët që janë duke u ndërtuar janë me rëndësi të jashtëzakonshme, veçanërisht për shkak të sfidave në rritje që lidhen me mungesën e ujit në Kosovë.

Ripërdorimi i ujërave të ndotura pasi të jenë trajtuar është thelbësor për ta reduktuar ndotjen e ujit, për ta rritur cilësinë e ujit, për ta përmirësuar efikasitetin e shfrytëzimit të ujit dhe për t’i zvogëluar humbjet e ujit. Ndërtimi i një infrastrukture të tillë është risi te ne, dhe siç ishte rasti te Prizreni jemi mirënjohës që partnerët tonë kanë paraparë edhe përkrahjen e Kompanisë “Hidrodrini” për operimin e impiantit gjatë kësaj faze fillestare.

Ne kemi potencial për kuadro në këtë sektor të ri për ne dhe duhet të punojmë që ato t’i rrisim e të përfitojmë sa më shumë nga përvoja gjermano-zvicerane. Si qeveri, në bashkëpunim me ministritë e linjave për resurse ujore dhe shërbime ujore, zotohemi që do të investojmë në krijimin e një brezi të ri të profesionistëve në këtë sektor vital për vendin tonë.

Ju faleminderit, gëzuar, e mirë u takofshim në inaugurimin e impiantit në Gjakovë.

Exit mobile version