Telegrafi

U harrua pothuajse nga të gjithë, De Gea po bëhet me klub të ri

Real Betisi raportohet se po eksploron mundësinë e transferimit si lojtar i lirë për ish-portierin e Manchester United, David De Gea, para afatit kalimtar veror.

Portieri spanjoll ka mbetur pa ekip pas largimit të tij nga ‘Old Trafford’ në fund të sezonit 2022/2023.

Disa klube të ndryshme i kishin bërë oferta në dy afatet e fundit kalimtare, duke përfshirë edhe ato nga Arabia Saudite, por De Gea kishte refuzuar që t’i pranojë këto oferta.

Tani mediumi spanjoll Estadio Deportivo raporton se ish-ylli i ‘Djajve të Kuq’ mund të rikthehet më në fund në futboll sezonin e ardhshëm, pasi Betisi është i interesuar për të nënshkruar me të.

Duke marrë parasysh se 41-vjeçari Claudio Bravo pritet të largohet nga klubi, drejtori sportiv i klubit Manu Fajardo, e ka identifikuar De Gean si zëvendësuesin e tij ideal.

Mundo Deportivo kishte raportuar në muajin shkurt se edhe Barcelona po synon transferimin e 33-vjeçarit, për të përforcuar pozitën e portierit.

Për momentin, Manuel Pellegirni mbetet i vendosur që të sigurojë një pozitë që dërgon në Evropë, dhe do të rikthehen në aksion gjatë vikendit, ku do të luajnë derbin ndaj Sevillës./Telegrafi/