Site icon Telegrafi

U grumbullua nga Përfaqësuesja A e Kosovës, Zumberi: Një ëndërr e bërë realitet

Përfaqësuesja e Kosovës ka mbajtur stërvitjen e radhës ditën e sotme, në kuadër të grumbullimit për ndeshjet e muajit qershor në Ligën e Kombeve.

Përveç stërvitjeve të zakonshme, në ditën e sotme përzgjedhësi Alain Giresse ka vendosur të zhvillojë edhe një ndeshje testuese, duke i ndarë lojtarët në dy ekipe.

Për këtë ndeshje u ftuan edhe katër futbollistë nga Përfaqësuesja U21, Leard Sadriu, Valon Zumberi, Ilir Krasniqi dhe Qendrim Zyba.

Njëri nga mbrojtësit më perspektiv të Kosovës padyshim se është Valon Zumberi, i cili aktivizohet me skuadrën e madhe gjermane Hamburg.

19-vjeçari është lider në mbrojtjen e Kosovës U21 dhe shihet si e ardhmja e Dardanëve.

Preshevari gjithashtu shihet si mbrojtës me të ardhme edhe te Hamburgu që i kanë bërë kontratë profesionale dhe pritet të jetë njëri nga futbollistët më të rëndësishëm te klubi gjerman nga ky edicion.

Lexo po ashtu Valon Zumberi e ardhmja e mbrojtjes së Kosovës dhe skuadrës së madhe gjermane Hamburg

Telegrafi ka kontaktuar Zumberin pas stërvitjes së tij të parë me Përfaqësuesen A të Kosovës, derisa ai ka thënë se është një ëndërr e bërë realitet.

“Për mua kjo është një ëndërr e bërë realitet. Gjithsesi ishte vetëm një stërvitje dhe tani gjithë fokusin e kam tek Përfaqësuesja U21 ku kemi tri ndeshje shumë të rëndësishme këtë muaj”, tha Zumberi për Telegrafin.

Ai thotë se po punon shumë që sa më shpejtë të bëjë kapërcimin nga Përfaqësuesja U21 te ajo A.

“E kam thënë edhe më parë se qëllimi im është që sa më parë të jem pjesë e Kosovës A, por më duhet ende punë dhe të bëhem një titullar tek Hamburgu”, u shpreh mbrojtësi i talentuar.

Lexo po ashtu Talenti i madh i Kosovës, Valon Zumberi i bashkohet ekipit të parë të Hamburgut

Telegrafi edhe më parë ka shkruar për karrierën e qendërmbrojtësit, ku muaj më parë e vizituam atë edhe në Hamburg për t’i bërë një reportazh nga qyteti ku u lind dhe rrit.

Gjithsesi Kosova është me fat që ka në radhët e veta një futbollist profesionist dhe me të ardhme si Zumberi.

Vlen të theksohet se Zumberi edhe pse vetëm 19 vjeçar është një titullar i padiskutueshëm i Kosovës U21 ku ka luajtur në shtatë ndeshje. /Telegrafi/

Exit mobile version