Telegrafi

U gjet i vdekur pranë kufirit me Greqinë, çelësi i shtëpisë “identifikon” kufomën

Policia ka identifikuar viktimën që u gjet një ditë më parë në fshatin Kreshovë të Ersekës.

Sipas policisë, viktima është Sherif Mukaj 27 vjeç, person i denoncuar i zhdukur më datë 1 nëntor 2021.

Pranë trupit të dekompozuar u gjet një çelës që i përket shtëpisë së viktimës dhe 1 celular Nokia. Edhe familjarët e viktimës kanë konfirmuar që çelësi i gjetur hap derën e shtëpisë.

Trupi i dekompozuar i 27-vjeçarit u gjet të shtunën nga dy barinj të zonës.

Hetimet janë fokusuar në disa pista dhe po kryhen nga sektori i vrasjes në Drejtorinë e Policisë së Korçës.

Për të kuptuar shkakun e vdekjes së Sherif Mukajt, do të priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.

Gjithsesi, disa muaj më parë babai dhe xhaxhai i Mukajt kishin denoncuar humbjen e të riut. Në denoncimin që bënë disa muaj më parë xhaxhi dhe babai nuk folën për konflikte të të riut apo ndonjë punë të dyshimtë të tij,  ndërkohë që para se të humbiste ai ka pasur një vlerë rreth 500 mijë lekë që ja kish dërguar i ati nga SHBA.

“Pothuajse një ditë po, një ditë jo kam folur me nipin, nuk ka patur shqetësimin më të vogël, thoshte që skam nevojë për asgjë. Në datën 5 i kam bërë 4 herë telefonatë, ka vajtur zilja dhe telefoni nuk është hapur. Prandaj duam sa më parë të zbardhen tabulatet. Prokurori të mos e lerë në heshtje. Shokët e nipit i kanë thirrur të gjithë në polici, thonë nuk dimë gjë. Ai s’është zog të fluturojë”, ishin deklaratat e atëhershme të dajës së tij, Arben Sinani.