Site icon Telegrafi

“U diskutuan elementet e kornizës themelore të marrëveshjes Kosovë-Serbi”, Qeveria jep detaje nga takimi Kurti-Lajçak

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti këtë të martë në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas takimit, Qeveria e Kosovës njoftoi se tema kryesore ishin mbarëvajtja dhe dinamizimi i procesit të dialogut me Serbinë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë e çështje tjera aktuale.

“Kryeministri Kurti e falënderoi z. Lajçak për angazhimin e tij në dialog, ndërsa ritheksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, bëhet e ditur se kryeministri Kurti e njoftoi emisarin Lajçak që Qeveria është në përfundim të përgatitjeve për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria është e vendosur për sundimin e ligjit dhe e përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim./Telegrafi/

Exit mobile version