Tyson Fury beson se e di arsyen pse Deontay Wilder deshi të përballej me të dhe jo me Anthony Joshuan.
Më 1 dhjetor në Los Angeles do të zhvillohet meçi ndërmjet boksierit britanik dhe atij amerikan, i vlefshëm për titullin WBC.
Ky do të jetë dueli i tretë i Furyt (pas Sefer Seferit dhe Francesco Pianetas) që nga rikthimi në ring, pas pauzës mbi dy vjet e gjysmë (31 muaj) për shkak të problemeve personale dhe me doping.
Fitorja eventuale do ta bënte Tysonin kampion të WBC-së dhe njëherësh do t’ia jepte mundësinë për një duel eventual në të ardhmen me Anthony Joshuan.
Porse ky do të jetë një përballje shumë më e vështirë për 30-vjeçarin në krahasim me dy meçet paraprake.
Derisa po flitet vazhdimisht për superduelin potencial ndërmjet Wilderit dhe Joshuas, Fury thotë se dy boksierët e përmendur duan të ndeshen me të në këtë periudhë, pasi mendojnë se ai është më i dobët pas pauzës së gjatë.
“Kur isha në maje të suksesit tim, këta djelmosha nuk flisnin. Nuk kishin asgjë për të thënë. Asnjëri prej tyre”.
“Por, mendoj se ata thonë me vete: ‘Ai nuk është ndeshur për tre vite, është fryrë, është sjellë rreth e rrotull, i ka pasur dy meçe të lehta rikthimi. Nëse duhet ta mposhtim ndonjëherë, ky është momenti i duhur'”.
“‘Nëse e lejojmë që të vazhdojë për katër ose pesë vite, atëherë nuk ka shanse ta mposhtim’. Kështu që ata duan ta bëjnë këtë derisa e kanë shansin më të mirë, gjë që do ta bënte çdo njeri i logjikshëm”.
“Kjo është ajo për të cilën shpresojnë, shpresojnë se nuk jam i njëjti boksier që kam qenë para dy vitesh.
“Por, nuk jam i njëjti, jam më i mirë. Jam shumë më i mirë tash se atëherë kur jam përballur me Klitschkon. Kam më shumë përvojë, lëviz më mirë, jam më i fortë, jam më i urtë, më i mençur”, është shprehur Fury në një intervistë me gazetarin Gareth Davies. /Telegrafi/