Ekipe turke me 24 automjete dhe 42 persona me pajisje të specializuar për pompimin e ujit dhe pastrimin e baltës, ndihmojnë në vendbanimet e vërshuara në rajonin e Shkupit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Në Republikën e Turqisë akoma vijon fushata për grumbullimin e mjeteve për ndihmë të zonave të vërshuara. Deri më tani nga Turqia kanë arritur gjashtë kamionë me ndihmë urgjente nga Bursa, ndërsa ndihmë e tillë është paralajmëruar edhe nga Marmaraja, u theksua sot në konferencën për shtyp të ambasadës së Turqisë në Shkup.
Për ndihmën që mblidhet në Turqi është formuar një trup koordinues i përbërë nga përfaqësues të Gjysmëhënës së kuqe të Turqisë dhe Kryqit të kuq, Tika dhe Afad – organizatë e specializuar për ndihmë gjatë fatkeqësive, ka njoftuar ambasadori Ömür Şölendil.
Zëvendëskryetari i Gjysmëhënës së kuqe të Turqisë dhe këshilltari i kryetarit të komunës Metropolitan të Stambollit, Ismail Turunç, i cili i kryeson ekipet turke për ndihmë, ka theksuar se ata fillimisht kanë ndihmuar në pastrimin e rrugëve dhe shtëpive në lagjen Hasanbeg, por edhe se do të vazhdojnë edhe në vendet tjera të vërshuara pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike ose fetare./Telegrafi/