Site icon Telegrafi

Turqia do të veprojë për të parandaluar dëmet pas pezullimit të marrëveshjes së grurit nga Rusia

Përfundimi i marrëveshjes së drithit të Detit të Zi, siç u njoftua këtë javë, do të godiste rëndë në shumë mënyra, paralajmëroi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duke shtuar se Turqia tashmë po punon për ta parandaluar këtë.

“Përfundimi i nismës së drithërave të Detit të Zi do të ketë një sërë efektesh, duke filluar nga rritja e çmimeve globale të ushqimeve, në disa rajone deri te mungesa e bukës dhe më pas valët e reja të migrimit. Ne nuk hezitojmë të marrim iniciativën për ta parandaluar këtë”, deklaroi lideri turk.

Lexo po ashtu Kontribuoi në aneksimin e Krimesë nga Rusia, por sot Putini e arrestoi sepse e kritikonte kohët e fundit

“Unë besoj se duke diskutuar çështjen në detaje me (presidentin rus Vladimir) Putin, do të sigurojmë vazhdimin e kësaj lëvizjeje humanitare”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet roli unik i shtetit turk si një vend me marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Ukrainën, që e ndihmuan atë të ndërmjetësonte marrëveshjen në fillim së bashku me OKB-në, raporton aa.

Më 17 korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshje, të cilën e nënshkroi korrikun e kaluar së bashku me Turqinë, OKB-në dhe Ukrainën për të rifilluar eksportet e drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të ndërprera pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt. Por, edhe gjatë rinovimit të marrëveshjes në muajt e kaluar, Moska është ankuar se pjesa ruse e marrëveshjes nuk po zbatohej.

Erdogan tha se Putin ka pritshmëri nga vendet perëndimore për marrëveshjen e drithit, duke shtuar, “vendet perëndimore duhet të ndërmarrin veprime në këtë drejtim”.

Sipas marrëveshjes historike, më shumë se 33 milionë tonë drithë u dërguan nga portet e Ukrainës, duke parandaluar një krizë globale ushqimore, tha ai, duke shtuar se “vazhdimi i një nisme kaq jetike për sa u përket rezultateve të saj është në dobi të njerëzimit”.

Erdogan mohoi zërat se ka rënë rëndësia e Turqisë në ndërmjetësimin midis Rusisë dhe Ukrainës.

Lexo po ashtu Zelensky shkarkoi ambasadorin e vendit në Mbretëri të Bashkuar - kush ishte Vadym Prystaiko?

“Përkundrazi, ne po ruajmë aktualisht marrëdhëniet tona me Rusinë. Si ministri i Jashtëm Hakan (Fidan), ashtu dhe kreu i (Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës) MIT-it Ibrahim (Kalın), po i vazhdojnë negociatat e tyre”, shtoi presidenti turk.

Presidenti shtoi se së shpejti mund të ketë një bisedë telefonike me Putinin pa pritur një takim të mundshëm në muajin gusht. /Telegrafi/

 

Exit mobile version