Turqia, Rumania dhe Bullgaria kanë filluar një “gjueti” të përbashkët të minave në Detin e Zi, për të rritur sigurinë e transportit detar, veçanërisht sigurinë gjatë eksportit të grurit ukrainas.
Nisma e udhëhequr nga Stambolli, veprimi i parë i madh i përbashkët i kombeve të Detit të Zi që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, synon të çaktivizojë minat që lëvizin në zona specifike të Detit të Zi si rezultat i luftës.
Rusia dhe Ukraina janë prodhuesit kryesorë të grurit dhe lufta ka kërcënuar kalimin e sigurt të dërgesave, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se Kievi nisi rrugën e tij të eksportit në Detin e Zi vitin e kaluar pas një marrëveshjeje të korridorit të sigurt të mbështetur nga Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara.
Kjo ka rritur me sukses eksportet dhe ka ndihmuar ekonominë të rritet më shpejt se sa parashikohej, por rruga mbetet e rrezikshme.
Siç raportohet, vitin e kaluar, një sulm me raketa ruse pranë portit kryesor ukrainas të Odesës goditi një anije tregtare, duke vrarë një pilot dhe duke plagosur të tjerë.
Një anije e punësuar nga gjiganti bujqësor Cargill Inc. u dëmtua gjithashtu nga një shpërthim ndërsa lundronte nga një port ukrainas në Detin e Zi.
Ndryshe, Ukraina ka eksportuar 37.4 milionë tonë produkte agrare nga Odesa, Chornomorsk dhe Pivdennyi që nga hapja e korridorit detar në gusht të vitit 2023, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës së Ukrainës. /Telegrafi/