Site icon Telegrafi

Turqia refuzon propozimin e SHBA-së për t’i dhënë Ukrainës sistemin e saj të avancuar të mbrojtjes ajrore S-400

Turqia ka refuzuar sugjerimin e SHBA-së për t’i dhënë Ukrainës sistemin e saj të avancuar të mbrojtjes ajrore S-400 që e bleu nga Rusia.

Kështu raportojnë mediat e huaja, sipas të cilave, ministri i Mbrojtjes Mevlüt Çavuşoğlu argumentoi se oferta e SHBA-së ka të bëjë drejtpërdrejt me sovranitetin turk.

Megjithatë, Çavuşoğlu nuk ka dhënë detaje se kur është bërë propozimi.

“SHBA-të na kërkuan të dërgonim S-400 në Ukrainë dhe ne thamë jo”, tha ai, duke shpjeguar se këto propozime ishin të papranueshme pasi synonin të cenonin sovranitetin turk, shkruan Daily Sabah.

SHBA-ja është përpjekur të bindë vendet që operojnë raketa ruse si S-300 dhe S-400 që të marrin në konsideratë dhënien e disa prej tyre Ukrainës.

S-400 u zhvillua në Rusinë post-Sovjetike dhe është një version më i avancuar dhe më i aftë i S-300, të cilin Ukraina e operon gjerësisht.

Sistemi që Turqia bleu nga Rusia në 2017 ishte shumë i diskutueshëm për Uashingtonin, i cili sanksionoi industrinë e mbrojtjes së Turqisë dhe e përjashtoi atë nga programi i përbashkët i aeroplanëve sulmues F-35.

Dhe me gjithë këtë, Ankaraja refuzoi të lëvizte nga pozicioni i saj.

Zyrtarët turq kanë thënë vazhdimisht se vendi i tyre bleu S-400 për sigurinë kombëtare dhe asnjë vend tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë. /Telegrafi/

Exit mobile version