Guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Abdunnasır Himmeti, tha se Turqia, Rusia dhe vendi i tij kanë rënë dakord për të bërë tregti me monedhë vendore.
Në deklaratën e bërë, ai tha se në një të ardhme të afërt do të takohen me udhëheqësit e bankave qendrore të Turqisë dhe Rusisë dhe dëshirojnë që çështjet për të cilat është arritur në konsensus të vihen sa më herët në zbatim.
Himmeti duke bërë të ditur se samiti me temë Sirinë i zhvilluar në 7 shtator në Teheran, kryeqytetin e Iranit me pjesëmarrjen edhe të presidentit turk Rexhep Tajip Erdoan dhe atij rus Vladimir Putin ishte frytdhënës dhe theksoi se u arrit konsensus për shitblerjen e naftës, gazit natyror dhe produkteve themelore si dhe për çështjet e sektorit bankar, përcjell Telegrafi.
Ai nënvizoi se të tre vendet janë të të njëjtit mendim për mos përdorimin e dollarit në tregti dhe do të bëjnë tregti me monedhat e veta dhe veprime mbi një këmbim të përcaktuar.
Muaj më parë, qeveria e Iranit kishte njoftuar se ka plan për ta zëvendësuar dollarin amerikan me euron në raportimet financiare.
Gjithashtu, presidenti i turk Rexhep Tajip Erdogan, tha se në tregtinë botërore i duhet dhënë fund dominimit të dollarit. Ai këto komente i kishte bërë gjatë një fjalimi në Forumin e Biznesit Turqi-Kirgizi të zhvilluar në kryeqytetin e Kirgizisë, Bishkek. /Telegrafi/