Telegrafi

Turistët rusë ‘priten’ me himnin ukrainas në Finlandë: Jo të gjithë rusët janë me Putinin

Një turmë njerëzish janë mbledhur në qytetin lindor finlandez të Imatras në një urë me pamje nga pragjet e Imatrankoskit, një nga atraksionet natyrore më të njohura të vendit nordik.

Në të njëjtën kohë çdo ditë, diga pothuajse shekullore e lumit hapet dhe uji vërshon nën urë, nën tingujt e muzikës së kompozitorit finlandez Jean Sibelius.

Është një atraksion popullor veçanërisht për turistët rusë. Edhe Katerina e Madhe, Perandoresha e Rusisë, vizitoi Imatrankoski në 1772.

Por që nga fundi i korrikut, qyteti i Imatrës e ka nisur shfaqjen duke luajtur himnin kombëtar të Ukrainës, për të protestuar kundër pushtimit rus, raporton france24.

Finlanda, e cila ndan 1,300 kilometra kufirin lindor me Rusinë, po përgatitet gjithashtu të kufizojë vizat turistike të lëshuara për rusët.

“Kjo është e keqe për rusët që e duan Finlandën”, thotë Mark Kosykh, një turist rus 44-vjeçar, i cili ka ardhur për të parë pragjet me familjen e tij. “Por ne e kuptojmë qeverinë e Finlandës” thotë ai.

Kosykh thekson se ka rusë që nuk e pëlqejnë luftën, “Jo të gjithë rusët janë me Putinin. Qeveria dhe të gjithë njerëzit duhet ta kuptojnë këtë”.

Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të këtij viti duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. /Telegrafi/