Një përplasje virtuale ka ndodhur sot mes zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu dhe anëtarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda.
Fillimisht, Gruda në një konferencë për media e ka quajtur ndërhyrje të pastër politike nga ana e Qeverisë shkarkimin e shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve, Shemsi Hazirit, njësi kjo që udhëhiqte hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit.
Pas kësaj, ka reaguar Sallahu. Në një postim në Facebook ai ka thënë se konferenca e Grudës është vazhdimësi e goditësve ndaj shtetit, transmeton Telegrafi.
“Në këtë vazhdimësinë e konferencave të goditësve të shtetit, sot, pamë një tjetër përfaqësues të tyre, që sipas gojëdhënave thuhet që paska kry shkollë në Austri (sikur ky kolektivi i fytyrave publike të PDK-së). Në këtë konferencë ai tha “Meqë Donika Gërvalla dhe Martin Berishaj i kanë nga dy pasaporta, kur ta marrë mandatin PDK, ata nuk do të jetojnë në Kosovë”. Ky është kërcënim dhe njëkohësisht dhunim brutal i të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuar me kushtetutë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka shtuar “Kjo është doktrina juridike perendimore e PDK-së dhe përfaqësuesve të saj”.
“Vërtetë, Donika Gërvalla dhe Martin Berishaj kanë të drejtën të posedojnë edhe më shumë pasaporta se sa dy dhe mund të zgjedhin lirisht se në cilin shtet do të jetojnë. Këtë ua garanton secili akt me efekt juridik të brendshëm dhe ndërkombëtar, e jo dëshirat e përfaqësuesve të goditësve të shtetit përmes konferencave të zakonshme me përmbajtje jashtëzakonisht të dobët”, thotë ai.
Pas kësaj ka reaguar sërish anëtari i PDK-së, Gruda.
Ai i ka quajtur të pavërteta deklaratat e Sallahut.
“Zv. Ministri i Drejtësisë gënjen publikisht, unë nuk e kam thënë këtë kurrë. E vërteta është se Martini kurrë s’ka jetu në Kosovë as Donika. Këta janë turista të pushtetit”, thotë ai.
Tutje, ai ka parashtruar pyetje nëse edhe kryeministri Kurti do të largohet nga Kosova.
“Pyetja është a ka me ikë edhe Albini në Norvegji pasi që ta shkatërron Kosovën siç e ka filluar”. /Telegrafi/