Pesë persona janë lënduar kur aeroplani i aviokompanisë Delta Air Lines, pësoi turbulenca të shumta dhe piloti u detyrua të bëjë ulje emergjente.
Aeroplani që ishte nisur nga Seattle dhe kishte për destinacion Kaliforninë, filloi të dridhet nga turbulencat derisa po fluturonte në 10 mijë metra lartësi, duke bërë kështu që valixhet dhe gjësendet tjera të bien mbi pasagjerët, transmeton Telegrafi.
Si pasojë e turbulencave dhe kaosit të krijuar brenda, piloti është detyruar të bëjë ulje emergjente në Reno të Nevadës. Aty tre personat e lënduar janë dërguar në spital, kurse dy tjerëve u është dhënë ndihma në vend të ngjarjes dhe kanë vazhduar udhëtimin nga aeroporti ndërkombëtar i Renos.
Një video e postuar në Twitter nga një pasagjer që përjetoi dridhjet brenda aeroplanit, shfaq valixhet dhe gjësendet e tjera nëpër tokë. Brenda aeroplanit në ato momente ishin 59 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit. /Telegrafi/