Site icon Telegrafi

Tuchel tregon arsyet pse Chelsea nuk transferoi asnjë futbollist si dhe nëse kishte kontakte me Dembelen

Afati kalimtar i janarit për transferimin e futbollistëve ka përfunduar, por duket se për Chelsean nuk ka nisur asnjëherë.

Klubi londinez nuk ka blerë asnjë futbollist gjatë janarit, përjashtim rikthimin e brazilianit Kenedy nga huazimi në Flamengo.

Edhe pse shumë emra u lidhën për një kalim te Chelsea, por londinezët qëndruan duar kryq dhe nuk bën asnjë hap për transferimin e ndonjë futbollisti.

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel ka shpjeguar se pse nuk transferuan asnjë futbollist, pasi sipas tij nuk donte që të afronte futbollistë të tjerë në grupin aktual.

“Nuk më shqetëson kjo situatë, jam i qetë. Nuk e di se çfarë mund ti shtonim një grupi që është shumë i fortë. Kemi besim tek lojtarët tanë dhe detyra ime është që të gjej zgjidhje kur dëmtohet ndonjëri prej tyre”, deklaroi Tuchel.

Njëri nga emrat më të lakuar për tu transferuar te Chelsea ishte Ousmane Dembele, një futbollist që Tuchel kishte punuar me të te Borussia Dortmund.

Trajneri gjerman ka thënë se në asnjë moment nuk ka kontaktuar me francezin gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Nuk kam pasur asnjë kontakt me të, asnjë kontakt gjatë afatit kalimtar të janarit”, u shpreh tekniku gjerman. /Telegrafi/

Exit mobile version