Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka folur me fjalë të mëdha për Romelu Lukakun, i cili sipas tij është gati të debutojë që në fundjavë në derbin e Londrës ndaj Arsenalit.
Arsenali pret Chelsean në “Emirates Stadium”, ndërsa Blutë duhet të bëjnë pa amerikanin Christian Pulisic, i cili ka rezultuar pozitiv me COVID-19
Por Tuchel mund të mbështetet te blerja më e madhe e kësaj vere, Romelu Lukaku, i cili është stërvitur me skuadrën dhe do të jetë i grumbulluar.
“Gjatë javës është stërvitur me lojtarët që janë disi më mbrapa në përgatitje, megjithatë duket në formë mjaft të mirë dhe mund të luajë nga minuta e parë. Gjithsesi një vendim final për të do ta marrim vetëm pasi të kryejmë edhe seancën stërvitore të shtunën”,ka thënë trajneri gjerman.
Edhe pse Chelsea pagoi plot 115 milionë euro për kartonin e Lukakut, trajneri Tuchel e konfirmon se kjo ishte e domosdoshme, pasi skuadrës i duhej një sulmues i tillë.
“Na mungonte një sulmues si Lukaku dhe them se kemi gjetur profilin e duhur për të udhëhequr repartin e sulmit. Megjithatë ne po punojmë për të pasur edhe alternativa të tjera loje, në varësi të asaj që na imponojnë kundërshtarët në ndeshje të caktuara”.
“Duam të jemi një skuadër e fortë, madje më e fortë se vitin e kaluar dhe me Lukakun kemi disa mundësi më shumë për të organizuar manovrat sulmuese”,deklaroi Tuchel. /Telegrafi/