Trupat ruse të dislokuara në qytetin e Sieverodonetsk në Ukrainën lindore janë “të pajisura dhe të trajnuara dobët”.
Kështu së paku thuhet në një raport të fundit nga Ministria britanike e Mbrojtjes, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ministria e Mbrojtjes tha: “Gjatë 24 orëve të fundit, forcat ukrainase kanë kundërsulmuar në qytetin e kontestuar të Sieverodonetsk në Ukrainën lindore, me gjasë duke zbutur vrullin operacional që forcat ruse kishin fituar më parë përmes përqendrimit të njësive luftarake dhe fuqisë së zjarrit”.
“Forcat ruse të angazhuara në këtë zonë përfshijnë personel të mobilizuar nga rezerva e Forcave Separatiste të udhëhequra nga Rusia të Republikës së vetëshpallur Popullore të Luhanskut. Këto trupa janë të pajisura dhe të trajnuara dobët dhe nuk kanë pajisje të rënda në krahasim me njësitë e rregullta ruse”, është thënë më tej në raport.
“Përdorimi i këtyre forcave për operacionet e ‘pastrimit urban’ është një taktikë ruse e vërejtur më parë në Siri, ku Rusia përdori Korpusin V të Ushtrisë Siriane për të sulmuar zonat urbane”.
“Kjo qasje ka të ngjarë të tregojë një dëshirë për të kufizuar viktimat nga forcat e rregullta ruse”. /Telegrafi/