Telegrafi

Trupat ruse hyjnë në portin strategjik ukrainas të Khersonit

Mbrëmë, kryebashkiaku Igor Kolykhaev tha se ushtarët rusë kishin mbërritur në qytet dhe kishin shkelur në ndërtesën e administratës lokale.

Ai lëshoi një lutje urgjente për trupat armike që të mos qëllojnë civilët dhe t’i lejojnë ata të mbledhin trupat nga rrugët pas ditëve të luftimeve të ashpra, përcjell Telegrafi.

“Unë thjesht u kërkova atyre të mos qëllojnë mbi njerëzit”, tha z. Kolykhaev. “Ne nuk kemi asnjë forcë ukrainase në qytet, vetëm civilë dhe njerëz këtu që duan të jetojnë”.

Në anën tjetër Rusia ka pretenduar se është nën “kontrollin e plotë” të qytetit port në Ukrainën jugore, shkruan Sky News.

Kherson është qyteti i parë i madh që pushtohet nga Moska që kur Vladimir Putin filloi një pushtim në Ukrainë një javë më parë.

Kuptohet se z. Kolykhaev u takua dje me një komandant rus, i cili planifikon të krijojë një administratë ushtarake, raporton New York Times.

Në një postim të mëvonshëm në Facebook, kryebashkiaku tha se forcat ruse kishin kontrollin e Khersonit, vendbanimi i më shumë se 280,000 njerëzve.

Ai u bëri thirrje banorëve të ndiqnin urdhrat e vendosur nga rusët. Kjo përfshin respektimin e një shtetrrethimi nga ora 20:00 deri në 6 të mëngjesit.

Më vonë, Genadi Lakhuta, kreu i administratës rajonale, tha: “Okupatorët janë në të gjitha pjesët e qytetit dhe janë shumë të rrezikshëm”.

Megjithatë, zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se luftimet janë ende në vazhdim rreth qytetit, i vendosur në brigjet e lumit Dnieper pranë Detit të Zi. /Telegrafi/