Telegrafi

Trump: Do t’i jap fund luftës në Ukrainë brenda një dite nëse rizgjidhem president i SHBA-së

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do të ishte në gjendje t’i jepte fund luftës brenda një dite nëse zgjidhet përsëri në Shtëpinë e Bardhë.

Në një intervistë me Nigel Farage në GB News, Trump tha se për ndalimin e luftës do t’i duheshin vetëm 24 orë.

“Do ta përfundoja shumë shpejt. Do të ishte e lehtë”, pohoi ai, raporton skynews.

Duke e quajtur luftën një “katastrofë” që “duhet të ndalet”, ai shtoi se “ajo marrëveshje do të ishte e lehtë. Shumëçka ka të bëjë me paratë”.

Trump, i cili më parë është mburrur për marrëdhëniet e ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, thotë se dyshja “kaluan mirë mes veti”.

Ish-presidenti tha se Putin “nuk do të kishte hyrë kurrë në Ukrainë” po të ishte e “aftë” administrata e Joe Bidenit.

“Putini nuk do të hynte, nuk e përmend kurrë dhe unë e njoh shumë mirë”, shtoi ai. /Telegrafi/