Pasi u njoftua propozimi i djeshëm i armëpushimit, Donald Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se do të fliste me presidentin rus Vladimir Putin, i cili “shpresojmë” të pajtohet me propozimin.
“Duhen dy për tango, siç thonë ata”, tha Trump, duke shtuar se shpreson se marrëveshja do të arrihet në ditët e ardhshme, transmeton Telegrafi.
“Ne kemi një takim të madh me Rusinë nesër dhe disa biseda të shkëlqyera shpresojmë që do të pasojnë”, shtoi presidenti amerikan.
Kremlini ende nuk i është përgjigjur publikisht ofertës 30-ditore të armëpushimit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se Rusia nuk e kishte përjashtuar mundësinë e bisedimeve me përfaqësuesit e SHBA-së në ditët e ardhshme. /Telegrafi/