Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fuqishme kundër Hamasit përmes një mesazhi në platformën, Truth Social.
Ai i ka bërë thirrje organizatës që të lirojë menjëherë të gjithë pengjet dhe të kthejë trupat e pajetë të atyre që janë vrarë, duke theksuar se në të kundërt do të përballet me pasoja të rënda.
“Shalom Hamas” do të thotë përshëndetje dhe lamtumirë – Ju mund të zgjidhni”, shkroi Trump në mesazhin e tij, duke lënë të kuptohet se Hamasi ka vetëm dy opsione. Ai vazhdoi me një gjuhë të ashpër, duke e cilësuar mbajtjen e trupave të pajetë si një akt të njerëzve të “sëmurë dhe të çoroditur”.
Trump gjithashtu njoftoi se është i gatshëm t’i ofrojë Izraelit të gjitha mjetet e nevojshme për të përfunduar luftën kundër Hamasit, duke paralajmëruar se “asnjë anëtar i Hamasit nuk do të jetë i sigurt” nëse nuk respektohen kërkesat e tij.
Udhëheqësi amerikan zbuloi se sapo kishte takuar ish-pengjet që ishin mbajtur nga Hamasi dhe deklaroi se jeta e tyre ishte “shkatërruar” nga kjo përvojë.
“Ky është paralajmërimi i fundit!”, shkroi 78-vjeçari, duke iu drejtuar udhëheqjes së Hamasit dhe duke i këshilluar ata të largohen nga Gaza sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në fund të mesazhit, lideri amerikan i drejtoi një mesazh të veçantë edhe popullit të Gazës, duke theksuar se “një e ardhme e bukur” i pret ata, por jo nëse vazhdojnë të mbajnë pengje.
“Nëse e bëni, jeni të vdekur! Lironi pengjet tani, përndryshe do të përballeni me pasoja të rënda më vonë”, përfundoi ai.
Ndryshe, mediat amerikane kanë raportuar sot se administrata Trump ka zhvilluar bisedime sekrete me Hamasin për lirimin e pengjeve amerikane. /Telegrafi/