Donald Trump shpreson që princi Harry dhe Meghan Markle të jenë të lumtur, edhe nëse ai nuk merr ftesë për pjesëmarrje në dasmën e tyre.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë po ashtu se nëna e tij e ndjerë e ka dashur mbretëreshën dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Martesa e princit britanik dhe aktores amerikane është caktuar për 19 maj të këtij viti, ndërsa është raportuar se Trump nuk do të marrë ftesë për dasmë, duke qenë se princi ka miqësi të ngushtë me Barack dhe Michelle Obama.
Në një intervistë me Piers Morgan, kreu i Shtëpisë së Bardhë është pyetur se a ka marrë ftesë për dasmën mbretërore.
“Jo, me sa di unë”, ishte përgjigja e Trump, i cili nuk ka thënë nëse do të dëshironte të ishte pjesëmarrës apo jo në një ceremoni të tillë.
Ndërkaq, ai theksoi se pavarësisht të gjithave, dëshiron që çifti i ri të kenë lumturi në lidhjen e tyre – transmeton Telegraph.co.uk.
“Dua që ata të jenë të lumtur. Vërtet dua që të jenë të lumtur. Ata duken një çift i këndshëm”, ka thënë presidenti amerikan.
E fejuara e Harryt, Meghan Markle, ka qenë shumë kritike ndaj Trumpit, saqë para zgjedhjeve kishte thënë se do t’i braktiste SHBA-të për Kanadanë nëse ai zgjidhej president. /Telegrafi/