Telegrafi

Trump dhe Zelensky u takuan në New York – zbulohen deklaratat e tyre

Duke qëndruar pranë Volodymyr Zelenskyt brenda Trump Tower, ish-presidenti amerikan Donald Trump theksoi se ai ka një “marrëdhënie shumë të mirë” me presidentin ukrainas dhe presidentin rus Vladimir Putin.

Kështu ai ka thënë se ai mendon se mund të gjejë një zgjidhje për luftën “që është e mirë për të dyja anët” nëse zgjidhet në nëntor, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe unë gjithashtu kam një marrëdhënie shumë të mirë, siç e dini, me presidentin Putin dhe mendoj se nëse fitojmë, do ta zgjidhim shumë shpejt”, u tha Trump gazetarëve përpara takimit të tij me Zelenskyn.

“Shpresoj që të kemi më shumë marrëdhënie të mira mes nesh”, ndërhyri Zelensky.

“Oh, e kuptoj”, tha Trump. “Duhen dy për tango, e dini, dhe ne do ta bëjmë – do të kemi një takim të mirë sot. Dhe mendoj se fakti që jemi bashkë sot është një shenjë shumë e mirë”.

Ndërkohë i pyetur se si do të dukej vizioni i tij për një marrëveshje “të drejtë” që do t’i jepte fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, ish-presidenti Donald Trump thuhet se dha një përgjigje të paqartë.

“Është shumë herët për ta thënë këtë”, tha Trump në Fox News pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Nju Jork.

“Unë kam idetë e mia dhe presidenti patjetër ka idetë e tij. Duhet të jetë e drejtë”.

Ndërsa Zelensky, i cili qëndronte pranë Trumpit, ia preu fjalën: “Kjo luftë nuk duhet të fillonte. Unë mendoj se problemi është se Putini vrau kaq shumë njerëz, dhe natyrisht ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i bërë presion atij që të ndalojë këtë luftë. Ai është në territorin tonë – kjo është më e rëndësishmja për të kuptuar – ai është në territorin tonë”. /Telegrafi/