Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të premten se ka zhvilluar bisedë telefonike me Nënsekretarin amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Me të kreu i ekzekutivit tha se kanë biseduar për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, e cila në qendër ka njohjen reciproke si dhe situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit.
“Një bisedë telefonike e sinqertë dhe e rëndësishme me nënsekretarin e Shtetit Derek Chollet për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë me Serbinë me qendër njohjen reciproke, me fokus situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”, ka njoftuar Kurti në Twitter.
Frank and important phone conversation with State Undersecretary Derek Chollet on the necessity for a full normalization agreement with Serbia centered on mutual recognition, with a focus on the security situation in Kosova coupled with the rule of law.
— Albin Kurti (@albinkurti) November 18, 2022
Kjo bisedë telefonike është zhvilluar tri ditë para se të fillojë së zbatuari masa e gjobitjes për të gjithë shoferët që vozisin makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia brenda territorit të Kosovës.
Nga 1 nëntori Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave. Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme. Më 21 nëntor pritet të hyjë në fuqi faza e dytë – shqiptimi i gjobës prej 150 eurosh.
Ndryshe, Kurti pritet të takohet të dielën ose të hënën me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në Bruksel. Çështja e targave pritet të jetë diskutimi kryesor, por parashihet të diskutohen edhe çështje të tjera.
As Qeveria e Kosovës, as Presidenca e Serbisë, nuk kanë konfirmuar nëse do të jenë pjesë e takimit.
Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targa RKS, Republika e Kosovës, në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.
Serbia, si dhe popullata lokale serbe në veri janë duke e kundërshtuar këtë vendim dhe insistojnë në targa neutrale – KS.
Nga 1 nëntori Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave. Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme. Më 21 nëntor pritet të hyjë në fuqi faza e dytë – shqiptimi i gjobës prej 150 eurosh.
BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve.
Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor. /Telegrafi/