Telegrafi

Tri arsyet pse Real Madridi ka vendosur të bojkotojë ceremoninë e FIFA-s “The Best”

Ceremonia e ndarjes së çmimeve individuale të futbollit do të zhvillohet në Paris të hënën në mbrëmje (sonte), me treshen e Real Madridit, Karim Benzema, Thibaut Courtois dhe Carlo Ancelotti, të emëruar në mesin e favoritëve për çmimet.

Megjithatë, asnjë nga të tre nuk do të jetë i pranishëm në ceremoni, me vetëm drejtorin e marrëdhënieve institucionale Emilio Butragueno dhe ambasadori i klubit Roberto Carlos që pritet të përfaqësojnë Los Blancos në ngjarje.

Sipas gazetarit të The Athletic, Mario Cortegana, arsyeja është se ata tashmë e dinë se nuk do të jenë fituesit.

Lexo po ashtu Marca zbulon fituesit e çmimit "The Best" para nisjes së ceremonisë: Lojtari, portieri dhe trajneri i vitit

Fillimisht, burime pranë klubit kanë bërë të ditur se asnjë nga tre finalistët e sipërpërmendur nuk do të fitojë çmimin. Mbajtësi aktual i Topit të Artë, Benzema, është favoriti i tretë pas Lionel Messit dhe Kylian Mbappes në kategorinë e lojtarëve më të mirë, ndërsa trajneri i Argjentinës Lionel Scaloni me siguri do të fitojë çmimin e trajnerit më të mirë pas fitores historike në Kupën e Botës.

Courtois duket se ka shanset më të mira për çmim, por mediumi zbulon se portieri i Albiceleste, Emiliano Martinez – përpara Yassine Bounou të Marokut – do të marrë trofeun e gardianit më të mirë.

Lista me 26 lojtarë për FIFPRO XI përmban emrat e Courtois, Benzema, Luka Modric, Antonio Rudiger dhe Fede Valverde , tre të parët që priten të emërohen në këtë njëmbëdhjetëshe. /Telegrafi/