Afati kalimtar i verës së ardhshme mund të na sjellë një tjetër transferim të madh në botën e futbollit.
Ylli brazilian, Neymar u largua nga Barcelona për t’iu bashkua Paris Saint Germain për 222 milionë euro.
Por sipas medieve franceze dhe atyre braziliane, Neymar nuk është aspak i kënaqur në Paris.
Kësisoj në skenë ka dalë Real Madridi që po dëshiron të thyej rekordin e transferimeve për ta rikthyer Neymarin në La Liga.
E haptazi për ta mirëpritur Neymarin në ‘Santiago Bernabeu’ kanë dalë edhe tre yjet e ‘Los Blancos’.
Sergio Ramos së fundmi tha se Neymarit ia ka hapur dyert në dhjetor sa ishte pjesë e Barcelonës.
“Ai është i mirëseardhur në Madrid. Derën ia kam hapur në dhjetor”, ka thënë së fundmi Ramos, ndërsa kishte refuzuar lojtarëve tjerë më parë t’i ofronte mirëseardhje në Madrid.
Mirëseardhje në Madrid së fundmi i ka shprehur edhe mesfushori Casemiro.
“Neymar është një lojtar i jashtëzakonshëm, shpresoj se do të vijë tek ne”, ka deklaruar Casemiro pas ndeshjes mes Brazilit dhe Anglisë.
I fundit që ka folur haptazi dhe i ka uruar mirëseardhje Neymarit ka qenë Dani Ceballos.
Mbetet të shihet nëse edhe pjesa tjetër e skuadrës do të dalin haptazi për të kërkuar nga Neymar transferimin në Madrid. /Telegrafi/