Telegrafi

Arrestohet ish-pronari i një kompanie derivatesh dhe dy të tjerë për mashtrim dhe keqpërdorim të pozitës

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës arrestoi tre persona nën dyshimin e përfshirjes në veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “mashtrim”.

Të dyshuarit e arrestuar janë: – M.A. lindur me 1965, ish pronar i një kompanie të derivateve, Rr. M. 1980, përmbaruese private dhe A.M. 1990, menaxher i një kompanie.

E dyshuara, Rr. M. ka përpiluar urdhrin përmbarues të mbështetur në dokumente me përmbajtje të pavërtetë (faturë), e cila është paraqitur në gjykatë.

I dyshuari M.A ka përpiluar dokumente me përmbajtje të pavërtetë duke kërkuar nga Dogana e Kosovës kompensim për “ruajtjen” e derivateve të naftës.

I dyshuari A. M. me qëllim që t’i ndihmojë të dyshuarit M. A. ka lidhur marrëveshje me përmbajtje të pavërtetë (fiktive) për “ruajtjen” e derivateve në rezervarët e kompanisë së tij.

“I dyshuari M. A. në emër të “ruajtjes” së derivateve nga viti 2001 për Doganat e Kosovës, ka ushtruar padi në gjykatë, përmes se cilës ka kërkuar kompensim nga dogana në vlerë prej 14,131,529.97 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e tridhjetë e një mijë e pesëqind e njëzetë e nëntë) euro në emër të ruajtjes së derivateve”, thuhet në njoftim.

Tre të dyshuarve, me aktvendim të prokurorit u caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh. /Telegrafi/