Një grup djemsh të një shkolle të mesme në Kansas kanë dashur të sigurohen që Dita e Shën Valentinit të ishte e veçantë për çdo vajzë në shkollën e tyre.
Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ata vendosën që për çdonjërën prej tyre të dhurojnë nga një lule.
Fotografitë e postuara në mediat sociale të enjten nga Summit Trail Middle School në Olathe, Kansas, tregojnë djemtë duke mbajtur një kovë me karafila të ndritshëm rozë. Dhjetëra vajza gjithashtu paraqiten me lulet e tyre.
Bujaria e djemve ishte një përpjekje e planifikuar me kujdes, sipas drejtoreshës së shkollës.
Sarah Guerrero ka thënë se një nga djemtë iu afrua asaj me idenë, disa javë më parë.
Tristan Valentine, donte të bënte diçka të veçantë për Ditën e Shën Valentinit, tha Guerrero. “Ai donte që çdo grua e re të ndihej speciale”.
Kështu, Valentini dhe dy djem të tjerë organizuan fondet dhe përdorën disa nga paratë e tyre për të blerë lule.
Ata planifikuan me kujdes se si do të shpërndanin dhuratat në dyert e ndryshme të shkollës në Ditën e Shën Valentinit, duke bërë më të mirën për të siguruar që askush të mos anashkalohej. Ata gjithashtu i shpërndanë lulet me fjalë inkurajimi. /Telegrafi/