Policia e Shtetit në Shqipëri ka shpërndarë sot pamjet e një operacioni policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sipas një njoftimi në rrjetet sociale, policia shoti se në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve I. D., 31 vjeç, E. A., 28 vjeç dhe D. M., 37 vjeç, të tre banues në Shkodër.
“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po transportonin lëndë narkotike, me 2 automjete, në rrugën nacionale Shkodër – Lezhë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Zadrima””, ka theksuar policia.
“Si rezultat, u bë lokalizimi dhe ndalimi i dy automjeteve. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin I. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 thasë plastike të mbushur me material bimor të dyshuar lëndë narkotike kanabis, e cila pas peshimit rezultoi 40 kilogramë. Në automjetin tjetër tip “Seat” ndodheshin shtetasit D. M. dhe E. A., të cilët shoqëronin automjetin ku u gjet lënda narkotike”, ka shtuar policia
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. /Telegrafi/