Telegrafi

Transferimi historik i Higuainit te Juve dhe rekordet e blerjeve (Foto)

Është në pritje vetëm zyrtarizimi i Gonzalo Higuainit te Juventusi, ndërsa për t’ia rrëmbyer Napolit, Zonja e Vjetër duhet të paguajë 94.7 milionë euro, aq sa është klauzola për prishjen e kontratës së tij.

Njoftimet thonë se Pipita iu është nënshtruar testeve të fshehta mjekësore në Madrid në prani të drejtorëve të Juves, Fabio Paratici dhe Beppe Marotta.

Lexo po ashtu Juve e prezanton Higuainin të enjten?

Po ashtu, thuhet se ai ka arritur marrëveshje katërvjeçare me Bianconerët në vlerë prej 7.5 milionë eurosh për sezon plus bonuset.

Në këtë mënyrë, argjentinasi do të bëhet transferi më i shtrenjtë në Serie A, lojtari më i shtrenjtë në histori të Juventusit dhe transferimi i dytë më i shtrenjtë në histori.

Gareth Bale thuhet se e ka rekordin e transferimit prej 100 milionë eurosh, kur kaloi te Real Madridi në vitin 2013. Edhe pse zyrtarisht thuhet se uellsiani ka kushtuar më pak se Cristiano Ronaldo që në vitin 2009 kaloi nga Manchester Unitedi te Los Blancos për 94 milionë euro.

Lexoni të gjitha lajmet për TRANSFERIMET

Në renditje vjen Neymar, i cili në vitin 2013 u largua nga Santosi për të shkuar te Barcelona për një shumë që llogaritet rreth 86 milionë euro, edhe pse ka të tillë që thonë se është mbi 105 euro.

Transferi më i shtrenjtë i Juves deri më tani është Gianluigi Buffon, i cili i kushtoi 53 milionë euro në vitin 2001 kur u transferua nga Parma.

Ndërkaq, transferimi më i shtrenjtë në Serie A është Hernan Crespo, të cilin Lazio e kishte blerë 55 milionë euro nga Parma në vitin 2000.

Ndërkohë, pritet që të gjitha rekordet t’i thyejë Paul Pogba, i cili në rast se largohet nga Juventusi drejt Manchester Unitedit apo Real Madridit, do të kushtojë 120 milionë euro. /Telegrafi/