Telegrafi

Trajnime për tanke, ushtarët e parë ukrainas arrijnë në Gjermani

Ministria gjermane e Mbrojtjes konfirmoi sot se ushtarët e parë ukrainas kanë arritur në vend për tu stërvitur për automjetet luftarake të këmbësorisë Marder.

“Ushtarët ukrainas kanë arritur në Gjermani për tu trajnuar me mjetin luftarak të këmbësorisë Marder”, u tha gazetarëve një zëdhënës nga ministria e Mbrojtjes.

Në fillim të këtij muaji, Gjermania tha se do t’i siguronte Ukrainës 40 nga automjetet Marder dhe një bateri shtesë raketore anti-ajrore Patriot, raporton cnn.

Ministria gjermane konfirmoi se trajnimi do të zhvillohet në Munster, Saksonia e Poshtme dhe pritet të përfundojë deri në fund të marsit.

Marder është një mjet luftarak këmbësorie i përdorur nga ushtria gjermane që nga fillimi i viteve 1970, por i përmirësuar vazhdimisht. Ndërkohë që ushtria gjermane është në procesin e heqjes së automjetit, qindra janë ende në shërbim.

Të mërkurën, kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi dërgimin shtesë të 14 tankeve Leopard 2 A6 në Ukrainë. /Telegrafi/