Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Suedisë, Janne Andersson ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme (e diel) ndaj Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katar 2022”.
Suedezët luajnë nesër ndaj Dardanëve në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45 në ndeshjen hapëse për Kosovën, të vlefshme për Grupin B.
Në konferencën për shtyp të mbajtur sot (e shtunë) ka folur edhe trajneri i Suedisë, Andersson, i cili ka folur për ndeshjen duke e vlerësuar kundërshtarin.
“Do të jetë ndeshje e vështirë. Kosova ka lojtarë të mirë dhe të shpejtë dhe duhet të luajmë më mirë sesa kemi luajtur para disa ditësh në mënyrë që të marrim rezultat”, ka thënë fillimisht Andersson në konferencë për shtyp.
“Nuk mendoj për pikën e fortë të Kosovës. Nuk mendoj për dobësitë. Ata kanë lojtarë të mirë dhe të shpejtë. Rëndësi për ne është që duhet të jemi të fortë në mbrojtje dhe të shfrytëzojmë rastet”.
📍 Fadil Vokrri Stadium
Träning på matcharenan ✔
I morgon…🇽🇰🇸🇪
— Svensk Fotboll (@svenskfotboll) March 27, 2021
“Ne gjithë kur luajmë, tentojmë të fitojmë, asnjëherë nuk luajmë për barazim”.
Andersson është pyetur nga gazetarët edhe për sulmuesin Arbër Zenelin, i cili në të kaluarën ka luajtur nga ekipet e moshave të Suedisë dhe faktin nëse do ta ftonte atë të luajë për ekipin e parë nëse nuk do të vendoste për Kosovën.
“Prej se ka vendos Arbëri që të luajë për Kosovën nuk e kam shikuar më në atë mënyrë. Natyrisht është një lojtar i mirë dhe kam respekt për të”, ka thënë fillimisht ai.
“Fatkeqësisht për ne, ai ka marrë atë vendim. Ky është njëri ndër ata lojtarët e mirë dhe të shpejtë, kam edhe shumë lojtarë të tjerë që mund t’i përzgjedh të luajë për Suedinë”.
“Ai është një lojtar i mirë, por shpresoj që ai të mos jetë aq i mirë nesër”, përfundoi trajneri i Suedisë. /Telegrafi/