Site icon Telegrafi

Trajneri i Shqipërisë, Reja: Kryeministri Edi Rama më bindi të marr drejtimin e Kombëtares

Edoardo Reja mbush 74 vjeç në tetor. Shumë vite mbi supe, një karrierë e gjatë profesionale si trajner, por në këtë moshë gjendet para një debutimi.

Do ta ketë “sefte” si trajner i një kombëtareje, por edhe me Shqipërinë. Ai zëvendësoi bashkatdhetarin Christian Panucci, duke marrë në dorë “frenat” e kuqezinjve, rrugëtimin me të cilët e nis në ndeshjet kualifikuese ndaj Islandës dhe Moldavisë.

Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, ai tregon edhe se kush e bindi për të pranuar ofertën nga vendi i shqiponjave. Një njeri jo dosido, por vetë kryeministri Edi Rama. Pra, Edi bindi Edyn, përcjell Telesport.

Lexo po ashtu Edy Reja publikon listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen ndaj Islandës dhe Moldavisë

“Presidenti Armand Duka më telefonoi dhe më pyeti për planet që kisha, duke më kërkuar nëse isha i lirë për një ofertë nga kombëtarja e Shqipërisë”.

“Biseduam për këtë, pashë edhe ndeshjen ndaj Turqisë. Në fakt, unë shkova rastësisht në atë ndeshje, më duhej të shkruaja disa raporte në lidhje me futbollistët që po ndiqeshin nga Napoli dhe Atalanta”.

“Më telefonoi, gjithashtu, edhe kryeministri Edi Rama. E takova atë në hotelin tim të preferuar, pranë “Ponte Milvio”. Ai kishte ardhur për të parë Lazion, është tifoz i madh i Juventusit. Më kishte thirrur, që të më bindte”.

“Më kërkuan të bëja më të mirën, të provonim kualifikimin për në “Euro 2020”. Bëra llogaritë e mia dhe, përjashto Francën, mendoj se mund të jemi konkurrues më të gjithë rivalët në grup, përfshirë këtu edhe Turqinë”.

Lexo po ashtu Pas konferencës për shtyp, Edy Reja merr thua dhe rrëzohet në dysheme

“Do të provojmë gjithçka. Kemi respekt për të gjithë, por frikë ndaj askujt. Kam folur me lojtarët dhe ata janë të vetëdijshëm. Më duket se në kombëtare ka hormoni”.

“Kur lojtarët shqiptarë zbresin në fushë, janë krenarë. E ndiejnë shumë fanellën që përfaqësojnë. Disa herë janë aq shumë të karikuar, sa duket sikur do të dalin nga binarët, edhe në stërvitje”, ka thënë Reja.

Exit mobile version