Telegrafi

Trajneri i Miller thotë se e kishte paralajmëruar amerikanin që mos t’i merrte substancat e ndaluara

Trajneri i Jarrell Miller më në fund ka folur publikisht për ndalesën e boksierit dhe përdorimin e substancave të ndaluara.

Boksieri amerikan ishte përgatitur që të përballej më Anthony Joshuan, mirëpo dështoi dy herë në testet anti-doping në shansin për t’u bërë më i mirë i botës në boks.

Miller është suspenduar për gjashtë muaj nga ushtrimi i profesionit të boksit, por edhe kishte humbur mundësinë që t’i fitonte 10 milionë euro nga përballja me britanikun.

Jarrell Miller v Anthony Joshua (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Boksieri nga New Yorku ka thënë se ai dështoi në testet për shkak të disa medikamenteve që kishte marrë shkaku i një lëndimi që kishte pësuar bërryl.

Trajneri i Miller, Harry Keitt, ka zbuluar se ai e kishte paralajmëruar boksierin që mos t’i bënte ato gjëra, por nuk e kishte dëgjuar.

Lexo po ashtu Miller përgjigjet rreth humbjes së Joshuas ndaj Ruizit

“E kam paralajmëruar atë disa herë që mos t’i bëjë ato gjëra, por ai i bëri. Unë jam kundër atyre gjërave (substancave të ndaluar”, ka thënë trajneri i amerikanit.

Miller e kishte shansin më të mirë në karrierë që t’i fitonte titujt WBA, WBO dhe IBF, mirëpo vendin e tij e zuri Andy Ruiz që e mposhti më 1 qershor Joshuan. /Telegrafi/