Telegrafi

Trajneri italian i Shakhtarit që refuzoi ta braktiste skuadrën, tashmë është larguar nga Kievi

(Foto: Twitter/nnis)

Trajneri i Shakhtar Donetskut, Roberto De Zerbi dhe stafi tjetër italian, janë larguar nga Kievi me tren, mirëpo akoma ndodhen në Ukrainë.

Strategut italian iu dhanë dy mundësi që të largohej nga kryeqyteti ukrainas kur Rusia i filloi sulmet e para, mirëpo ai vendosi të qëndronte derisa të sigurohej se lojtarët e tij që vinin nga vendet tjera të ishin të sigurt – këtë e kishte konfirmuar futbollisti i Shakhtarit, Junior Moraes, për New York Times.

Shefi i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, ka thënë të shtunën mbrëma se është në kontakt të vazhdueshëm me De Zerbin dhe se po përpiqen të gjejnë mundësinë e nxjerrjes së tij nga Ukraina.

Lexo po ashtu Mesazhi i gruas së Paulo Fonsecas: Kjo është ajo që pashë me sytë e mi në Ukrainë

“Unë kam trembëdhjetë djem brazilianë, stafin tim, mund të shkonim në shtëpi të paktën derisa të kishte siguri, por jo, pritëm, sonte na zgjuan shpërthimet”.

“Mëngjesin e sotëm ata pezulluan kampionatin dhe nga dritaret e hotel Opera pamë vargje makinash që lëviznin. Mendoj se po shkonin në Poloni. Ambasada italiane na kishte kërkuar të largoheshim, por unë nuk mund t’i ktheja shpinën klubit, futbollit dhe të largohesha kështu”, kishte thënë mes terash ditë më parë trajneri.

Sipas Sky Sport Italia, trajneri dhe stafi i tij italian tashmë janë larguar nga Kievi dhe deri në agim pritet të arrijnë në kufi për t’u larguar nga vendi.

De Zerbi mori drejtimin e klubit ukrainas pasi la përshtypje me Sassuolon, ndërsa këtë edicion ka luajtur në Ligën e Kampionëve, kundër klubeve, si Inter e Real Madrid. /Telegrafi/