Telegrafi

Trajneri i Gjilanit, Pajaziti: Luajtëm shumë mirë ndaj Dritës, golat erdhën shkaku i gabimeve amatore

Trajneri i Gjilanit, Sadat Pajaziti ka folur pas humbjes së ekipit të tij në derbin e qytetit ndaj Dritës.

Gjilani ka humbur ndeshjen e parë të stinorit pranveror nga rivali i urryer lokal Drita me rezultat 3-1, por Pajaziti është ndarë i kënaqur me lojën e ekipit dhe ardhjeve të reja.

“Kemi luajtur shumë mirë. Kemi pësuar tre gola nga tre gabime, të cilat nuk është dashur të ndodhin, pasi që ishin gabime amatore”, ka thënë fillimisht Pajaziti pas ndeshjes.

Lexo po ashtu Spektakël në tribuna dhe në fushë, Drita me fytyrë kampioni mposht Gjilanin dhe merr fitoren e 10-të kampionale në derbin lokal

“Si do që të jetë kjo ishte ndeshja e parë e sezonit dhe nuk e kishim ritmin e duhur. Gabimet ishin të pafalshme, por duhet të ngremë kokën dhe të vazhdojmë për t’i përmirësuar gabimet për ndeshjet e radhës”.

“Mund të them se jam i kënaqur me ardhjet e reja, pasi që janë futbollistë që kanë cilësi dhe kanë kualitet”.

“Disa nuk kanë pasur minutat e duhur në gjashtë muajt e fundit, por do të  inkorporohen shpejtë në ekip”.

“Ne do t’i marrim ndeshjet një nga një. Do të mundohemi të përmirësojmë gabimet e kësaj ndeshje dhe të vazhdojmë tutje”.

“Objektivi është të marrim maksimumin e pikëve nga ndeshjet e pranverës dhe të renditemi sa më lart në klasifikim”, përfundoi trajneri i Gjilanit. /Telegrafi/