Telegrafi

Trafikimi i të miturës në Podujevë, arrestohet edhe personi i katërt i dyshuar për përfshirje në këtë rast

Foto: Arkiv

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person, duke quar në katër numrin e të arrestuarve deri më tash, nën dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në rastin e trafikimit të një të miture nga Podujeva.

Sipas policisë i arrestuari është dërguar në mbajtje.

“Podujevë 18.09.2022 – 14:00. Në lidhje me rastin më 21.09.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Telegrafi ditë më parë ka raportuar lidhur me këtë rast, ku Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte bërë të ditur se viktima e trafikimit është një vajzë e mitur.

Fillimisht ishin arrestuar tre persona lidhur me rastin në fjalë, dhe ndaj të njëjtëve Prokuroria kishte paraqitur kërkesën për paraburgim.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se fillimisht me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur janë dërguar në mbajtje tre (3) persona të dyshuar, për veprën penale “Trafikimi me njerëz”, si dhe për të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, kishte thënë zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj. /Telegrafi/