Feronikeli e ka nisur në mënyrë fantastike edicionin e ri në Superligën e Kosovës.
Skuadra nga Drenasi ka marrë një fitore të madhe në ndeshjen e xhiros së parë ndaj Gjilanit me rezultat të thellë 4-0.
Trajneri i kësaj skuadre, Afrim Tovërlani ka mbetur tejet i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij, teksa thotë se ka mbetur i befasuar nga paraqitja e dobët e skuadrës së Gjilanit.
“Sa i përket angazhimit është për çdo lëvdatë. Kemi pasur raste për të shënuar më tepër gola, por gjithsesi kemi mbetur të kënaqur edhe me këtë rezultat, sidomos ndaj një skuadre të fortë si Gjilani”.
“Për të ju thënë të drejtën më ka befasuar jo për të mirë Gjilani. Ne kemi ende për të punuar që të komponohemi sa më shumë në ndeshjet e radhës”, deklaroi Tovërlani për “Klan Kosova”.
Më pas tekniku i Feronikelit ka lënë edhe një mesazh për tifozërinë që i mbështesin.
“Shpresoj që tifozët do të jenë sa më shpejtë në shkallët e tribunave. Këtë sezonë shpresojmë t’i gëzojmë tifozët tanë me rezultate më pozitive”, ka përfunduar Tovërlani.
Në kuadër të xhiros së dytë Feronikeli do të udhëtojë drejt Suharekës për t’u përballur me Ballkanin. /Telegrafi/