Telegrafi

Tovërlani flet për Gjilanin: Është ekip shumë i shtrenjtë, por mendoj se nuk e ka startin e duhur

Gjilani ka qenë një nga skuadrat më aktive në afatin kalimtar të verës për transferimin e futbollistëve.

Bardhekuqtë kanë bërë përforcime cilësore duke transferuar emra si Yll Hoxha, Albert Dabiqaj, Arbër Prekazi, Blerim Krasniqi, Elton Cale e të tjerë.

Megjithatë në tri xhirot e para, skuadra e Ismet Munishit ka grumbulluar vetëm pesë pikë, duke fituar një ndeshje dhe duke barazuar në dy të tjera.

Trajneri i njohur kosovar, Afrim Tovërlani ka folur në emisionin më të shikuar në vend, Dueli Sportiv rreth formës së skuadrës nga Anamorava.

Lexo po ashtu Formacioni më i mirë i xhiros së tretë në BKT Superligën e Kosovës

Sipas trajnerit prishtinas, Gjilani nuk e ka pasur një fillim të mirë.

“Nga kronika sa i kam parë, të dy skuadrat kanë mundur ta fitojnë ndeshjen. Mirëpo, ndoshta është pak herët, por me gjithë ato përforcime dhe një klub kaq i shtrenjtë çfarë është për momentin Gjilani, po mendoj që startin nuk e ka pasur aq të mirë”.

“Është shumë herët, janë vetëm tri ndeshje dhe ka ende kohë që të përmirësohet gjithçka, por sa i përket fillimi nuk e ka një fillim të mirë”, ka thënë Tovërlani.

/Telegrafi/