Ronaldo apo Messi ndoshta asnjëri prej tyre, sepse ka ardhur koha që Topi i Artë, çmimi më i rëndësishëm në aspektin individual, në vitin 2016-të të fitohet nga një tjetër futbollist.
Hegjemonia e vendosur nga argjentinasi dhe portugezi zgjat që prej vitit 2008, me Messin që e ka fituar në 5 raste Topin e Artë gjatë kësaj periudhe ndërsa Cristiano, tre herë.
Është shumë shpejtë për të thënë se kush do ta fitojë gjatë këtij viti edhe pse favorit mbeten CR7-ta dhe Leo me Ronaldon që qëndron në pole position ndaj yllit të Barcës, pasi është në finalen e Ligës së Kampionëve dhe ka shënuar 16 gola në këtë garë.
Hera e fundit që nuk e kanë fituar Ronaldo e Messi ka qenë viti 2007 kur triumfonte Ricardo Kaka që në atë kohë luante për Milanin. Edhe këtë edicion siç ka ndodhur gjithmonë gjatë viteve të fundit gjithçka do të përcaktohet nga votat e trajnerëve e kapitenëve të skuadrave kombëtare si dhe gazetarëve nga e gjithë Bota.
Të thuash që do ta fitojë sërish njëri mes Ronaldos e Messit ndoshta është diçka e parakohshme kjo për vetë faktin se përveç finales së Ligës së Kampionëve, përpara është kampionati Evropian, Kupa e Amerikës por edhe Olimpiada dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë.
Këtë vit në ndryshim nga sezonet e kaluara, Topi i Artë mund të shkojë edhe në duart një outsideri që në shqip do të thotë jo favorit.
Nuk hynë te të ashtuquajturit outsider, Luis Suarez dhe Neymar pasi dy sulmuesit e Barcelonës në vitin 2015-të u pozicionuan në vendin e 3-të dhe të 4-t. Por një i tillë mund të konsiderohet pa diskutim Antoine Griezmann.
Sulmuesi francez është lideri i Atleticos së Madridit që eliminoi Bayernin në gjysmëfinalet e Championsit, dhe ka shanset e tij për të fituar Topin e Artë, gjithmonë nëse Los Colchoneros fitojnë ndaj Realit.
Një plus në garën për trofeun më të rëndësishëm individual, Griezmannit mund t’ia japë edhe kombëtarja franceze që në Evropianin e shtëpisë është favoritja kryesore për të fituar Euro 2016-të.
Në këtë listë është edhe Jamie Vardy, njeriu që bërë realitet një ëndërr me Leicester Cityn duke fituar titullin kampion në Ligën Premier. Për të udhëhequr Dhelprat drejt këtij misioni të pabuesushëm, Vardy ka realizuar 22 gola në kampionatin anglez dhe ndoshta nëse bën mrekullinë edhe me përfaqësuesen e Tre Luanëve në Euro 2016, mund ta fitojë vërtetë Topin e Artë.
Lev Jashin është portieri i fundit që e ka fituar trofeun më të rëndësishëm individual, por ndoshta ka ardhur koha që Topin e Artë, ta fitojë edhe një tjetër portier, dhe ai është padiskutim Gianluiggi Buffon.
38-vjeçari është simboli këtij Juventusi që falë pritjeve të Giggit bëri një përmbysje të jashtëzakonshme për të fituar titullin e 5-t radhazi në Itali.
Buffon gjatë këtij sezoni theu edhe rekordin e Sebasttiano Rossit duke e mbajtur portën të paprekur në Serinë A për plot 973 minuta. Nëse shkëlqen edhe me Italinë në Evropian, Topi i Artë mund t’i përkasë pikërisht atij.
Griezmann, Vardy e Buffon por edhe Neymar e Suarez në Janar të 2017-tës në Zurich mund të jetë momenti i tyre.