Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Faton Topalli, i është përgjigjur bashkëpartiakes së deridjeshme nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetes Albulena Haxhiu, e cila i ka akuzuar ish-kolegët partiakë se e kanë përvetësuar nga Vetëvendosja Projektligjin për referendum, të cilin e kanë proceduar sot në Kuvend.
Topalli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është angazhuar personalisht që ky Projektligj të dërgohet në Kuvend dhe lidhur me këtë ka bërë edhe prononcime publike.
Postimi i plotë i Topallit:
“Mos u shqetsoni kot, ligjet nuk kanë autorësi as personale as partiake
Zvicra është njëri prej vendeve e cila më së shumti e përdor referendimin për t’i dhënë mundësi sovranit ta thot fjalën e fundit. Për shkak që kam jetuar gjatë në këtë vendë, sigurisht që ndjehem i ndikuar dhe i frymëzuar nga kjo formë e demokracisë direkte. Jam angazhuar edhe personalisht që ky Projektligj të dërgohet në Kuvend dhe lidhur me këtë kam edhe prononcimi publike të cilat mund ti gjeni në ëeb. Mendoj që ligji është shumë i nevojshëm dhe në interes të përgjithshëm të vendit. Ky duhet të jetë edhe interes i Lëvizjes Vetëvendose. Ne deri më tani i kemi mbështetur të gjitha iniciativat e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend. Nuk ka asnjë arsye që në procedurën e ndryshimit të ligjit dhe përgatitjes për votim të bashkëpunojmë me të gjithë ata që janë të interesuar për demokracinë direkte. Ligjet nuk kanë autorësi as personale e as partiake. Kush ka kohë le të merret me meritat, ne do të merremi me ligjin” (sic.), ka shkruar Topalli.
Grupi i Deputetëve të Pavarur, ka proceduar sot nismën legjislative për Projektligjin për Referendum. /Telegrafi/