Mundësitë që Dani Ceballos të largohet nga Real Madridi në verë po rriten dita ditës dhe këtë siç duket po synon që ta shfrytëzojë Milani, sipas raportimeve të fundit nga Spanja.
Mesfushori spanjoll ka vuajtur që të ketë minuta të mjaftueshme këtë sezon, dhe përkundër faktit që ka marrë mbështetjen e Carlo Ancelottit, ai ka luajtur vetëm 503 minuta në 21 paraqitje këtë sezon.
Kjo ka bërë që ai të mendoj largimin nga klubi dhe për këtë arsye Milani duket se po përgatitet që të bëjë një ofertë për të gjatë verës.
‘Rossonerët’ tashmë janë përgatitur për afatin kalimtar veror, pasi e kanë parë të nevojshme që të përforcohen për të ngushtuar hendekun me liderin e tabelës Interin, që janë në prag të titullit të 20-të të Serie A.
Siç ka raportuar Mundo Deportivo, Milani po synon që të shfrytëzojë në avantazhin e saj raportet e ngushta me Real Madridin, për të transferuar Ceballosin për një shumë të vogël parash në verë.
Sidoqoftë, Milani do të duhej të përballej me një konkurrencë të ashpër për të siguruar shërbimet e 27-vjeçarit, pasi për të interesim kanë shprehur edhe klubet si Real Betisi dhe Atletico Madridi.
Ceballos ka kontratë me ‘Los Blancos’ deri në qershor të vitit 2027 dhe mund të largohet për shumën e 10-15 milionë eurove./Telegrafi/