Telegrafi

Top skuadrat angleze pas Diabyt, Leverkusen synon të fitojë rreth 100 milionë euro nga shitja e francezit

Moussa Diaby është një nga sulmuesit anësorë më të vlerësuar në top pesëligat evropiane.

Sulmuesi i talentuar francez po kalon vitin e tij të katërt te Bayer Leverkusen ku ka shkëlqyer me fanellën e ‘farmaceutikëve’.

23-vjeçari pati një sezon të kaluar të jashtëzakonshëm me 17 gola e 14 asistime në 42 ndeshje zyrtare duke rritur ndjeshëm vlerën e tij.

Ish-sulmuesi i Paris Saint Germain mund të largohet qysh në janar nga Leverkusen, pasi ofertat për të nuk mungojnë nga top klubet kryesisht angleze.

Mediumi ’90min’ ka raportuar se Diaby është duke u monitoruar nga top pesë skuadra angleze që janë gati të bëjnë investim të rëndësishëm për francezin.

Chelsea, Arsenal, Manchester City, Tottenham Hotspur dhe Newcastle United janë ekipet që duan afrimin e francezit në janar, ose më së laegu në verën e vitit të ardhshëm.

Leverkusen i ka ofruar kontratë të re francezit pasi ajo aktualja i skadon në verën e vitit 2025, por futbollisti nuk e ka pranuar pasi dëshiron të bëj një hap para në karrierë.

Përveç top klubeve angleze, Diaby pëlqehet edhe nga Atletico Madrid, PSG e Juventus, derisa Leverkusen synon të fitojë rreth 100 milionë euro nga shitja e tij. /Telegrafi/