Driton Kuka, trajneri i Klubit të Xhudos “Ippon” nga Peja, ku tashmë pjesë e tij janë kampionët botëror dhe evropian si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora e Akil Gjakova, dashurinë për sportin në përgjithësi, si dhe atë të xhudos në veçanti e kishte shfaqur qysh në vitet e 80-ta, kur edhe e kishte paraqitjen e parë të tij në mediat e shkruara.
Është fjala për gazetën “Rilindja”, e cila asaj kohe ofronte hapësirën edhe për promovimin e talentëve të rinj, njëri prej të cilëve ishte edhe vet trajneri i tanishëm, Driton Kuka, që në Pejë njihet si Toni, i cili atëherë përpos që ishte nxënës i përkushtuar, dallohej edhe në sportin që sot e zotëron, madje duke u stolisur edhe me medalje.
Në gjurmimin tonë, kemi hasur se Toni ishte nxënës me pesa, i pëlqente leximi duke pasur madje edhe preferencat e tij ne veprat e shkruara, ndërsa qysh atëherë ishte edhe pjesë e ekipit të “Partizanit” të dikurshëm në kohën e ish-Jugosllavisë, duke marrë pjesë në turnetë e xhudos edhe jashtë qytetit ku jeton e deri tek medaljet e para atëherë.
Artikulli i atëhershëm ‘DRITONI I GJITHANSHËM’
Në shkollën fillore ‘Vëllëzërit Ribar’ të Pejës ka shumë nxënës të mirë.
Por në kësaj radhe veçuam Driton Kukajn që sapo ka filluar klasën e gjashtë.
Që nga klasa e parë në librezën e tij figurojnë vetëm pesat.
Përveçqë është nxënës shembullore, Dritoni është edhe lexues i pasionuar.
Ka lexuar më se 100 vepra, por përshtypje më të mirë i kanë lënë “Debatiku”, “Shtrepi i diellit”, “Lulja e shega” etj.
Ky vogëlush simpatik është edhe dashamirë i madh i sportit.
Është anëtarë i klubit “Partizani” të Pejës.
Në garat krahinore të xhudos, që u mbajtën në Ferizaj, u stolis me medalje të artë, si dhe mori mirënjohje të tjera.
E do shumë lojën e futbollit e sidomos lojën e Fadil Vokrrit.
U ndamë nga Dritoni duke i dëshiruar suksese akoma më të mëdha.
Kështu shkruhej në artikullin e botuar nga Naime Beqiraj në vitin 1983 në gazetën “Rilindja”.
Rikujtimi i artikullit dhe komenti i Kukës
Beqiraj ka publikuar sot (e mërkurë) në profilin e saj privat në Facebook këtë artikull.
Ajo kujtoi kohën e kaluar me këtë shkrim dhe se ky ishte shkrimi i pari për të në zejen e gazetarisë, edhe pse shumë e re në moshë.
Ky postim u pasua më vonë me komentin e vet trajnerin Driton Kuka.
“Shkrimi i parë për mua! – Sa shkrim i dashur dhe sa jam gëzuar që ma ke dërgua prapë pas luftës…”, ka shkruar Kuka.
Përderisa atëherë njihej si sportist i ri dhe i zellshëm në nivel lokal, sot atë e njohim si një trajner të suksesshëm në nivel global, duke sjell rezultate në çdo organizim të garave evropiane botërore, si dhe Lojërave Olimpike.
Valdrin Daci
/Telegrafi/