Taulant Xhaka ka vazhduar të jetë titullar i padiskutueshëm tek skuadra kampione e Zvicrës, Basel.
Mesfushori shqiptar ishte i plotë në fitoren e Baselit në udhëtim tek St Gallen me rezultat të thellë 0-3.
Por pas ndeshjes, ka qenë mesfushori prishtinas që ka dhënë një mesazh të fortë në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Ai ka rikujtuar indirekt De Biasit se luan gjithnjë 90 minuta me skuadrën e tij por duke ia përmendur edhe Ligën e Kampionëve.
“Një fitore që për mua do të thotë shumë. Dhashë si gjithmonë gjithça në fushë për ekipin tim. Titulli kampion tashmë shumë më afër”.
“Luaj që nga fillimi i sezonit 90 minuta, kam luajtur çdo ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe për këtë besim që më është dhënë falënderoj shumë trajnerin, tifozët e mrekullueshëm dhe ekipin tim FC Basel”, shkroi Xhaka.
Pas fitores në udhëtim tek St Gallen, Basel ndodhet bindshëm në vendin e parë me 69 pikë, 20 më shumë se përcjellësi Young Boys Bern. /Telegrafi/