Telegrafi

Tirana dhe Prishtina hapin dyert për figurat me renome botërore – kujt iu dhurua ‘Çelësi i Qytetit” gjatë vitit 2023?

Foto-kolazh: Endrit Dallaveraj/Telegrafi

Viti 2023 do të mbahet në mend si periudha kur Tirana dhe Prishtina u shndërruan në skena të vërteta ndërkombëtare, të cilat u vizituan nga emra që mbartin rëndësi të lartë për artin, kulturën dhe kombin shqiptar.

Kryeqytetet shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës respektivisht, jo vetëm që mirëpritën personalitete me famë botërore, por i nderuan ata me një nga mirënjohjet më të larta – ‘Çelësi i Qytetit’, një gjest që simbolizon respektin dhe vlerësimin e kontributit të tyre në fusha të ndryshme.

Telegrafi këtë fillimvit është krenar të sjellë një retrospektivë të mirënjohjeve të veçanta që u dhuruan gjatë vitit 2023 nga kryetarët e dy qendrave urbane të Shqipërisë, Përparim Rama dhe Erion Veliaj, figurave që kanë lënë gjurmë në zemrat e qytetarëve dhe në historinë e dy metropolëve shqiptare.

Ismail Kadare – Çelësi i Prishtinës

Ismail Kadare me ‘Çelësin e Qytetit’ të Prishtinës (Foto: Përparim Rama/Instagram)

Në një ditë të veçantë të qershorit të vitit 2023, Prishtina nderoi një nga figurat më të shquara të letërsisë shqipe, Ismail Kadare.

Në një ceremoni të mbajtur në kryeqytetin e Kosovës, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i dorëzoi shkrimtarit të njohur dhe bashkëshortes së tij, Helena Kadare, Çelësin e Qytetit. Akti i nderimit u bë në shenjë të njohjes së kontributit të madh të Kadaresë në promovimin dhe ngritjen e letërsisë shqipe në arenën botërore.

Rama, gjatë një postimi në rrjetet sociale, e cilësoi Kadarenë si një frymëzim për breza të tërë dhe njoftoi se një bibliotekë në Prishtinë do të marrë emrin e tij si një vend i përhershëm nderimi dhe frymëzimi.

“Veprat e tij e kanë ngritur letërsinë shqipe në nivel botëror dhe vazhdojnë të frymëzojnë tash e sa gjenerata”, shprehu Rama, duke theksuar rëndësinë e Kadaresë si figurë kulturore dhe si model për të rinjtë që ndjekin rrugën e artit dhe të krijimit.

Enrique Iglesias – Çelësi i Tiranës

Enrique Iglesias me ‘Çelësin e Qytetit’ të Tiranës (Foto: Erion Veliaj/Instagram)

Kryeqyteti shqiptar, Tirana, u bë skenë e një ngjarjeje të rrallë kur në qendrën e saj vjen për të performuar këngëtari të famshëm spanjoll, Enrique Iglesias. Po në këtë qytet ku ritmet e muzikës spanjolle do të përhapeshin në ajër, Iglesias u prit nga Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, në zyrën e tij.

Në shenjë mirënjohje për kontributin e tij në muzikë dhe si një simbol i bashkimit përmes artit dhe kulturës, Veliaj i dorëzoi këngëtarit Çelësin e Qytetit.

Enrique Iglesias, i cili ka një bashkësi të madhe adhuruesish në Shqipëri, u prit me entuziazëm të madh dhe u shpreh i lumtur për ngrohtësinë dhe pranimin që gjeti.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur të jem këtu. Është suprizë e madhe t’ju takoj”, u shpreh ai, duke ndarë emocionet e tij para koncertit që pritej të mbante në qendër të Tiranës.

Ricky Martin – Çelësi i Tiranës

Ricky Martin me ‘Çelësin e Qytetit’ të Tiranës (Foto: Erion Veliaj/Instagram)

Vizita e një tjetër ylli të famshëm latin, Ricky Martin, u bë një nga pikat kyçe të ngjarjeve kulturore në Tiranë gjatë vitit 2023.

Këngëtari, i dashur për energjinë dhe pasionin që sjell në skenë, arriti në Tiranë për të dhënë një koncert që pritej me padurim nga të gjithë adhuruesit e muzikës latine. Përpara se të ndezte skenën, Martin u prit nga Kryetari i Tiranës në zyrën e tij, ku padyshim u nderua me Çelësin e Qytetit.

Emocionuar dhe falenderues, Martin u shpreh mirënjohjen e thellë për këtë nderim të veçantë. “Do të jetë shumë speciale!” u shpreh ai, duke premtuar një natë të mbushur me dashuri, ndershmëri dhe pasion, vlera që ai përfaqëson dhe që janë në zemër të kulturës së tij Puerto-Rikan.

Rita Ora dhe Taika Waititi – Çelësi i Prishtinës

Rita Ora me ‘Çelësin e Qytetit’ të Prishtinës (Foto: Përparim Rama/Instagram)

Prishtina u bë shtëpi për një festë të veçantë kur këngëtarja e famshme Rita Ora zgjodhi atë si destinacionin për të festuar ditëlindjen e saj.

Së bashku me bashkëshortin e saj, talentin e hollivudit Taika Waititi, ata u mirëpritën nga figura të larta të shtetit dhe përfunduan vizitën e tyre me një takim të veçantë me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Në një ceremoni të mbushur me emocion, Rama iu dhuroi çiftit Çelësin e Prishtinës si shenjë e vlerësimit të kontributeve të tyre në art dhe kulturë dhe si mirënjohje për përfaqësimin e tyre në botë.

Taika Waititi me ‘Çelësin e Qytetit’ të Prishtinës (Foto: Përparim Rama/Instagram)

Rita Ora, e cila vazhdimisht ka shprehur krenarinë për rrënjët e saj shqiptare, dhe Taika Waititi, e morën këtë nderim si një simbol të lidhjes së fortë që ata kanë me vendlindjen e Ritës dhe mirënjohjen që Prishtina ka për ata.

Ky moment u dokumentua nga vetë Rama në rrjetet sociale, duke përshkruar Rita Orën si një përfaqësuese dinjitoze dhe duke i falënderuar për kontributin që ajo ka bërë në promovimin e Kosovës përmes artit të saj. /Telegrafi/